Shqipëria mbyll një tjetër kapitull me BE, sot Konferenca e 10-të Ndërqeveritare në Luksemburg
Shqipëria pritet të mbyllë Kapitullin 20 të negociatave me BE-në, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht.
Shqipëria pritet të shënojë sot, më 13 tetor 2026, një tjetër hap në procesin e integrimit europian. Në Luksemburg do të zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, gjatë së cilës pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria do ta çojë në katër numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht, duke vijuar procesin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përfundimin e tyre brenda vitit 2027.
Kapitulli 20, në fokus sipërmarrja dhe politikat industriale
Kapitulli 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, përfshin çështje që lidhen me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar zhvillimin e konferencës përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar mbylljen e këtij kapitulli si një tjetër hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE”, ka shkruar Rama.
Kryeministri do të marrë pjesë në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, së bashku me përfaqësues të institucioneve europiane.
Konferenca nis në orën 17:00, në përfundim deklaratë për mediat
Sipas agjendës zyrtare, aktivitetet do të nisin në orën 16:40 me nisjen drejt Qendrës Europiane të Konventave në Luksemburg, ndërsa në orën 16:45 është parashikuar një dalje e shkurtër për mediat.
Në orën 16:50 do të realizohet fotografia e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministrit irlandez Thomas Byrne.
Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE do të hapet zyrtarisht në orën 17:00, me miratimin e agjendës dhe vijimin e punimeve për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20.
Përfundimi i konferencës është parashikuar në orën 17:45, pas së cilës do të zhvillohet një konferencë për shtyp me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Marta Kos dhe ministrit Thomas Byrne.